Portieri i Veleçikut Zamir Vjerdha mban rekord në pritjen e penalltive në futbollin shqiptar. Pritja që i bëri penalltisë së Dinamos në ndeshjen e fundit në Kategorinë e Parë e bën portierin 21-vjeçar një “aset” më vete. Në dy vitet e gjysmë karrierë, duke nisur që nga ekipi i vendlindjes Vllaznia B e deri te Veleçiku ai ka pritur plot 12 penallti. Për një portier kaq të ri dhe me statistika të tilla, krijohet lehtësisht përshtypja se ai mund të shkojë larg në karrierën e tij.
Për ” Shkodra Sport”, ai zbulon sekretin e kësaj arritjeje të veçantë.
“Jam stërvitur për vite me rradhë me të madhin Paulin Ndoja dhe ai më ka mësuar shumë gjëra. Një ndër to dhe si të pozicionohem dhe si të mundohem të presë penalltitë. Deri më tani ia kam dalë me sukses dhe pse jo, do të vazhdoj të presë sërish të tjera”, deklaroi djaloshi.
Ndoshta në të ardhmen, ai do të ndjekë hapat e portierëve më të mirë të Kategorisë Superiore Alban Hoxhës, Gentian Selmanit.