
Tirana do të luajë ditën e nesërme një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit. Bardheblutë përballen me Young Boys në Zvicër në sfidën që është e vlefshme për turin "Play Off" të Europa League. Mjafton një rezultat pozitiv për të bërë të mundur që Tirana të luajë në grupet e Europa League edhe për këtë sulmuesi Elton Cale shprehehet mjaft optimist. Në një prononcim për "TV Klan", braziliani deklaroi se në futboll mund të ndodhi gjithçka.
"Mendoj gjithmonë pozitivisht. Unë dua të fitoj edhe ekipi është gati të arrijë një fitore. E dimë që është një ndeshje e vështirë, por jam optimist. Jemi mirë dhe jemi gati për këtë ndeshje.
Të japim maksimumin në fushë, pasi do të jemi 11 përballë 11. Young Boys është një ekip i fortë siç e dimë, por futbolli është futboll, është i paparashikueshëm. Është ashtu siç thotë Torassa, si një lojë shahu, duhet të dish të luash shumë mirë", u shpreh Cale.