Tërbuni ka zyrtarizuar 3 largime që nga dita e djeshme. Bëhet fjalë për sulmuesin Jurgen Peqini dhe dy portierët, Klajdi Kuka bashkë me Erik Lumani. Këto largime të bëra me dije nga faqja zyrtare, nuk janë të vetmet në kampin e “Shqiponjave të Veriut”.
Është dhe mesfushori Skënder Lilaj që ka njoftuar divorcin përmes rrjeteve sociale. “Shumë falenderime për të gjithë lojtarët, shokët, stadin dhe në veçanti për tifozat e Tërbunit. Kënaqësi që isha pjesë e juaja dhe ju uroj vetëm suksese në të ardhmen”, shkruan mesfushori në rrjetet sociale.
Kujtojmë se 27-vjeçari u afrua nga Vora në janar, teksa aventura e tij në Pukë tashmë ka mbaruar dhe destinacioni i ri akoma nuk bëhet i ditur. Tërbuni ka filluar fazën përgatitore në kuadër të sezonit të ri, teksa disa lojtarë janë larguar dhe të tjerë pritet të afrohen për t’i zëvendësuar.
