Kukësi luan të shtunën në orën 17:00, ndeshjen e parafundit të Abissnet Superiore përballë Skënderbeut. Kjo sfidë luhet në “Kukës Arena” dhe ka rëndësi të madhe për verilindorët, të cilët duhet vetëm të fitojnë për të ndjekur objektivin Europë. Aktualisht ekipi i drejtuar nga Diego Longo mban vendin e katërt, tre pikë më pak se Partizani i cili mbyll treshen e sigurt të Europës.
Të premten u zhvillua dhe seanca e fundit stërvitore në prag të ndeshjes me Skënderbeun, e cila vjen pak objektiva pasi ka rënë zyrtarisht nga kategoria. “Kukës Arena” hapi dyert për ekipin e tij, ku kujtojmë se është i gatshëm dhe Jorgo Pëllumbi i cili ka shlyer dënimin e kartonëve.
“Skuadra ka mbyllur sot përgatitjet për ndeshjen ndaj Skënderbeut. Ekipi është zhvendosur në qytetin e Kukësit për seancën e fundit stërvitore. Me ekipin është bashkuar edhe Jorgo Pëllumbi i cili ka shlyer dënimin e kartonave. Ekipi po qëndron i grumbulluar në Vërmicë, në Hotel @lakesideks, i cili ka hapur dyert për të mirëpritur ekipin tonë”, shkruan klubi i Kukësit në rrjetet sociale.
