
Agustin Torasa pritet të jetë nesër në fushë kundër Partizanit. Lojtari i njohur i Tiranës është stërvitur rregullisht me skuadrën në seancën e fundit para supersfidës ndaj të kuqve. Edhe pse argjentinasi shqetësoi jo pak stafin teknik për një problem muskulor, ai pritet të sakrifikohet për të qenë gati në një ndeshje vitrinë si e nesërmja.
Dje, shtatshkurtri ishte pranë një klinike private duke marrë trajtimin e duhur mjekësor, ndërsa në seancën e sotme stërvitore ka qenë ndër më aktivët. Një sinjal ky për trajnerin e Partizanit, Ilir Dajën, i cili duhet të marrë si duhet masat për të markuar mesfushorin argjentinas.
Kryeqytetasi e njeh mjaft mirë Torasën pasi së bashku kanë punuar te Flamurtari para dy sezonesh. Pritet me interes të shihet se si do të përfundojë derbi i nesërm, ndërsa ngacmimet në distancën kanë nisur prej ditësh.