
Flamurtari ka nisur sot përgatitjet, por në fushë nuk kanë qenë të pranishëm lojtarët bazë të skuadrës, por ata që janë kandidatë për të veshur një fanellë të klubit vlonjat. Në ambientet e fushës sportive në pyllin e Sodës në Vlorë janë paraqitur futbollistë nga mosha 18 deri 21 vjeç, të cilët kanë luajtur më parë për moshat e Flamurtarit dhe për ekipin B.
Trajneri Gugash Magani si një njohës i mirë i talenteve i ka kërkuar që ti vërë të gjithë në provë, për të mbajtur më të mirët e mundshëm të këtij grupi. Për momentin peqinasi do të kalojë në “sitë” të gjithë të rinjtë e pranishëm në këtë fazë seleksionuese, ndërsa javën e ardhshme do të jenë të pranishëm dhe lojtarët “big”, të cilët janë dhe baza e skuadrës.