
Mijëra shqiptarë nga Kosova, Ilirida dhe jo vetëm, kanë mbushur sheshin "Skënderbej" pasditen e kësaj të premteje në shenjë proteste teksa kërkojnë drejtësi për ish-luftëtarët e UÇK-së të cilët prej pesë vitesh ndodhen në Hagë.
Ndërkohë që gjatë këtij tubimi, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Azgan Haklaj ka gjetur rastin për të “futur në mes” edhe futbollin. Ai ka përgëzuar Kombëtaren shqiptare për fitoren historike që arriti përballë Serbisë.
“Çfarë ndodhi? Mrekullia hyjnore. Shqiponja i tmerroi serbët. Edhe në stadiumin bërtisnin ‘vritini shqiptarët’. Respekte dhe mirënjohje për tifozët kuqezi të cilët kënduan e festuan me këngën e komandantit legjendar, Adem Jashari. Shqiponja u kthye në fole. Në Nish, në vitin 1878-1880, 700 fshatra i ka dëbuar me dhunë Serbia, 70 mijë vetë i ka vrarë. Kombëtarja kuqezi e ktheu “shqiponjën” në fole. Respekte dhe mirënjohje për ekipin kombëtar", u shpreh Haklaj.