Shqipëria e vajzave U-19 korri fitoren e parë ndaj bashkëmoshatareve të Letonisë ditën e djeshme, në sfidën e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian për këtë grupmoshë.
Një tre pikësh mjaft i vlefshëm ky për skuadrën kuqezi, që e zgjidhi shpejt ndeshjen, teksa që në pjesën e parë të lojës, gjeti rrugën e rrjetër tre herë.
Në përfundim të ndeshjes që u mbyll me rezultatin 3-1, trajneri i ekipit kombëtar të vajzave, Kreshnik Krepi përgëzoi të gjitha vajzat për këtë fitore dhe për paraqitjen e tyre në fushë. Në një prononcim për fshf.org. ai komentoi edhe, Rumaninë, që është kundërshtarja e radhës e Shqipërisë. Rumenet mundën ditën e djeshme Armeninë me rezultatin 8-0, por kjo nuk e tremb Krepin dhe skuadrën shqiptare që në fushën e lojës ndaj këtij kundërshtari premton maksimumin.
Si e vlerëson paraqitjen e Shqipërisë? – Skuadra u shpreh shumë mirë, duke parë që nuk është në gjendje shumë të mirë fizike, por ishte shumë e disiplinuar taktikisht dhe i përgëzoj në maksimum gocat për atë që dhanë. Si rezultat arritëm që ta zgjidhim shumë shpejt ndeshjen, duke u futur në dhomat e zhveshjes me avantazhin 3-0 në pjesën e parë. Na e zbeh pak këtë fitore dalja me karton të dytë të verdhë të Maxhalakut. E diskutuam edhe në dhomat e zhveshjes që të jemi sa më të kujdesshëm, por futbolli i njeh këto adrenalina të momentit.
Sfida ndaj Rumanisë dhe synimet e Shqipërisë- Ndeshjen e Rumanisë nuk e kemi parë ende, pasi luajtën më herët se ne. Gjithsesi, rezultati nuk na tremb, thjesht do mundohemi të jemi sa më racionalë dhe të japim maksimumin e mundshëm. Atmosfera është shumë pozitive te skuadra, që na premton të jemi sërish racionalë te ndeshja e dytë. Fituam kundër një kundërshtari shumë të fortë, ku edhe Rumania nuk do ta ketë shumë të lehtë me këtë kundërshtar dhe pse jo mos të tentojmë të marrim pikë dhe të fitojmë edhe ndeshjen e dytë. Të sigurojmë kualifikimin.
Në një prononcim të shkurtër për fshf.org, Klaudia Borci, sulmuesja kuqezi që shënoi golin e parë u shpreh shumë e kënaqur që ndihmoi ekipin të marrë tre pikët. Fokusi është te ndeshjet e radhës tani thotë Borci, ndërsa ka besim se Shqipëria do ta kalojë grupin.
‘Ndeshja ishte shumë e mirë, e dominuam lojën, si në pjesën e parë edhe në pjesën e dytë. Ishte një ndeshje e vështirë, pasi edhe kundërshtarin nuk e njihnim, luajtëm për herë të parë ndaj tyre. Por shkoi mirë, fituam ne. Kjo fitore është e rëndësishme sepse tani fokusohemi te dy ndeshjet e tjera që duhet t’i fitojmë dhe të kalojmë grupin. Është një krenari e madhe që të luaj për këtë fanellë dhe të shënoj dhe që ndihmova skuadrën të marrë tre pikëshin. Kemi edhe dy ndeshje të tjera, kundërshtarin nuk e njohim, por besoj se do ta kalojmë grupin dhe do të ngjitemi më lart’ – u shpreh Borci për fshf.org.