
Theophilius Solomon, futbollisti i Partizanit po i kalon këto ditë në vetëizolim. Covid-19 ka bërë të vetën, teksa me shtyrjen e kampionatit dhe rregullat e reja për t'u mbrojtur nga Coronavirusi, sulmuesi i kampionëve ka zgjedhur rrjetet sociale për të rrëfyer këtë situatë.
"Më mungon futbolli dhe udhëtimet", i përgjigjet ai fansave në rrjetet sociale, teksa poston edhe video nga stërvitja individuale, trajnim që zgjat dy orë në ditë sipas tij. "Situata është e frikshme dhe e çmendur, kanë vdekur shumë njerëz prej kësaj", shkruan më pas Solomon, që u afrua verën e shkuar me Demat.
Me futbollin që është ndalur dhe ende nuk dihet data e rinisjes së garës, Theophilius Solomon dhe të kuqtë po stërviten me një program special dhe strikt online, ndjekur kjo nga anëtarët e stafit teknik të Partizanit. Mes shumë përgjigjeve, Solomon iu premton fansave se do të kthehen më të fortë, duke shuar kritikat që kampionët në fuqi morën për humbjet e fundit radhazi në Superligën shqiptare.