
Dritan Sadedini pritet të jetë trajneri i radhës që largohet nga Flamurtari. Me klubin që u kujtua vonë për startin e sezonit futbollistik dhe me rezultatet kundër, stoli i tij është lëkundur dukshëm. Ky fakt përforcohet edhe me takimet që administratori Idrizi ka bërë me Eqerem Memushin, që shihet si zëvendësuesi i Sadedinit.
Memushi ishte në pankinë gjatë miqësores që Flamurtari barazoi në shtëpi ndaj Egnatias dhe ky shihet si një presion i hapur ndaj teknikut aktual. Trajneri në "hije" duket se ka piketuar edhe merkaton e janarit, duke përforcuar zërat se ai do të ulet në stolin kuqezi. Për momentin Memushi i ka sugjeruar klubit dy lojtarë të Egnatias, bëhet fjalë për brazilianët Bahiano Da Costa dhe Gustavo Reinert. Prezenca e Memushaj në stol e ka dhënë efektin e parë, Flamurtari do të afrojë dy lojtarët që surprizuan për mirë në miqësoren e së shtunës dhe për këtë topi i kalon drejtorit Edmond Liçaj.