Të hënën u bë emisioni i radhës "Procesi Sportiv" ku pritej të kishte diskutime serioze dhe bindëse në mënyrë analitike për futbollin dhe jo vetëm. Të ftuar në studio ishin Lorenc Jemini, Redi Jupi, Alesia Bami, Ervin Salianji, Armand Sallabanda, Ledio Lako dhe Gëzim Sinemati. Drejtues të emisionit ishin Edi Manushi dhe Ilda Bejleri. Interesi ishte mjaft i madh sepse ishte paralajmëruar një intervistë ekskluzive me Aldo Teqjën, portierin e Partizanit që ra nga pallati.
Emisioni nisi me batuta ku në qendër të vëmendjes u vunë fotografi Ballabanda dhe bukuroshja Alesia Bami. Megjithatë ishte Manushi ai që ndërroi atmosferën duke folur për ngjarjen e rëndë të portierit të Partizanit. Pasi u ezaurua gjithçka që ishte përgatitur nga gazetari i mirënjohur Endi Tufa, pjesa tjetër e emisionit u shndërrua në një komedi e lodhshme. Vetëm 10 minuta u fol për futbollin, më pas Lorenci Jemini si model apo "zogu" i aparatit të Ballabandës që kishte bërë namin venitën ato pak nota futbolli që kishin mbetur në panel.
Hera-herës Redi Jupi dhe Gëzim Sinemati tentonin të analizonin, mirëpo i ftuar ishte edhe ish-deputeti Ervin Salianji. Edhe pse përditë trumbetohet që politika duhet të qëndrojë jashtë sportit, me sa duket te Procesi Sportiv e kanë objektiv më vete. Edhe javën e shkuar ishte i ftuar një tjetër deputet, Kujtim Gjuzi. Jo vetëm që nuk foli për futboll, por krijoi një kakofoni duke nxitur edhe debate në studio për mënyrën e të folurit të tij. Disa herë i përmendi drejtorit të Partizanit vëllain kryeministër, duke harruar se aty ishte i ftuar për të folur për futboll. Komentet negative të ndjekësve kanë qenë të shumta për këtë emision sportiv. Edhe pse prej javësh po kritikohet, sërish vijon të ndiqet i njëjti model.
Nga njëri deputet në tjetrin, nga njëra modele tek tjetra, ngjyrat erotike dhe pasioni për politikën kanë nisur ta zaptojnë. Këtë javë i duhet "hequr kapelja" Endi Tufës, i cili ishte ai që shpëtoi emisionin me intervistën e jashtëzakonshme të bërë me njerëzit më të përfolur të javës. Gazetaria sportive, një traditë familjare për Endin, i cili dha leksione sërish me ekskluziven e tij, bërë për portierin e Partizanit. Ndoshta duhet të kthejnë sytë më shumë nga i biri i Bashkim Tufës, për të kuptuar dhe mësuar se futbolli është pjesë e sportit. Është ai që bashkon të madh e të vogël dhe vetëm aty politika duhet të rrijë sa më larg. / Retin Toka/
