
Vllaznia u mposht sot 3-0 në Rumani nga Univeristatea Craiova për ndeshjen e kthimit në turin e dytë të Conference League. Me ndeshjen e “Loro Boriçit” që përfundoi 1-1, shkodranët kishin shpresa të mëdha për një kalim më tej. Pas ndeshjes, trajneri Mirel Josa analizoi lojën e të tijve, duke thënë se nuk mund të fitonin duke ndenjur pas.
"Mund të them se mundësitë tona ishin shumë më të mëdha. Ne bëmë një pjesë të parë, që nuk mund të thuash të mirë. Nga pikëpamja e rezultatit ishte në rregull me 0-0, por mund të kishim pësuar.
Them që nuk mund të rrish gjatë gjithë kohës në mbrojtje, pa i hapur probleme kundërshtarit në pjesën sulmuese. Mendoj që duhet të kishim një qarkullim më të mirë të topit në mesfushën tonë dhe gjithashtu një gatishmëri më të madhe për të fituar topin e dytë, në momentin që kishim një pikë referimi si Kaina përpara. Në dyluftimet që pati Kaina duhet ta mbështesnim më tepër, për të formuar diçka", tha Josa mes të tjerash.