
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me konfliktin e Bashkisë Tiranë dhe presidentit Armand Duka lidhur me zgjedhjet në Federatatën Shqiptare të Futbollit. I ftuar në emisionin “Open”, Rama u shpreh se nuk ndërhyn fare në këtë çështje pasi nuk janë në interes të njerëzve, ndërsa komentoi edhe përgjimin e Veliajt duke theksuar se këto përgjime dalin nga konteksti.
“Nuk kam asnjë koment për këtë çështje. Qeveria është tërësisht jashtë kësaj çështjeje. Tani axhendën e emisionit tuaj nuk do ta bëj unë, por më shumë interes për shqiptarët do të ishte legalizimi i kanabisit, apo amnisitia për kursimet e emigrantëve. Konflikti mes Bashkisë së Tiranës e FSHF-së nuk është në interes të njerëzve. Të gjitha përgjimet dalin nga konteksti, nuk i shoh, transformohen, e mora Veliajn ta pyes çfarë është kjo.
Nuk po flasim për filma, kur del diçka me zë e me figurë që ti më jep lekë e unë marr lekë, nuk bëj dot sikur s’e shoh. Janë dy gjëra të ndryshme. Që po thoja, e mora Veliaj në telefon dhe më sqaroi për pozicionin e tij. Dhe i thashë ‘po SPAK për çfarë e përmend’ se SPAK-u nuk merret me një OJF, FSHF-ja është OJF dhe SPAK nuk merret fare. Unë e di që përgjimet transformohen se e kam provuar në kurrizin tim. Atje, çfarë i thoja unë atij dhe çfarë diskutohej në televizione”, u shpreh Rama.