
Trajneri i Skënderbeut Orges Shehi u shpreh tejet i shqetësuar për gjendjen fizike të futbollistëve të tij përpara sfidës së radhës me Luftëtarin. Për "RTSH Sport", tekniku i bardhekuqve dha verdiktin për disa prej lojtarëve të huaj që u ftuan të bënin një seancë prove bashke me skuadrën korçare.
"Skënderbeu me lojtarë të akademisë:Është shumë shpejt për të thënë nëse ka lojtarë te akademia që mund të bëhen pjesë e Skënderbeut.
Lojtarët e testuar:2 lojtarë më pëlqyen pak, më dhanë shpresën se mund të luajnë futboll. Por do të shohim në muajt e ardhshëm se kush do të jetë pjesë e ekipit të parë e kush jo.
Dëmtimet:Jemi në një situatë alarmante. Krasniqi është jashtë, do t'i duhen shumë javë për t'u rikthyer. Muzaka dhe Oto John nuk po vrapojnë, Bregu ka problemet e veta. Edhe Radas nuk është në 100%, por shpresoj që këtë fundjavë të fitojmë dhe të dalim me sukses", tha Shehi.
Ndaj gjirokastritëve që kanë siguruar qëndrimin në Superiore me fitoren në tavolinë 3-0 ndaj Kamzës, Skënderbeu kërkon fitoren e dytë radhazi për të luftuar për vendin e katërt, i cili dërgon çdo ekip në Europa League nëse Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë. Prandaj, shpresat e bardhekuqve për të shpëtuar një sezon tejet zhgënjyes janë te kjo sfidë, pasi takimin e fundit me Kamzën në kampionat e kanë të fituar në tavolinë 3-0.