Ardit Hoxhaj është mungesa e rëndësishme e Vllaznisë për sfidën ndaj Kukësit që do të luhet në orën 18:00. Sulmuesi vlonjat ka folur për “Gol pas Goli” para ndeshjes duke u shprehur se ndaj verilindorëve, Vllaznia do ishte e kënaqur edhe me barazim. Në fund Hoxhaj foli edhe për ofertën zyrtare që ka ardhur nga Turqia në drejtim të tij.
“Ka kaluar një javë nga kartoni i keq dhe jam i qetë. E di që ishte ndërhyrje e rrezikshme, por nuk kam pasur për qëllim të dëmtoj kundërshtarin. Më vjen keq që nuk jam në fushë për të ndihmuar skuadrën pasi luajmë përballë një rivali direkt, por shpresoj të fitojmë.
Te Vllaznia gjëja kryesore është forca e grupit. Unë personalisht nuk e kam nisur titullar, por e kam marrë vendin me vazhdimin e kohës. Kemi shumë lojtarë cilësorë që të përballojmë kampionatin me mungesat që mund të kemi.
Të kënaqur me barazim? “Futemi në fushë për 3 pikë pasi ky është mentaliteti jonë. Nuk do të ishte keq të merrnin barazim pasi e rëndësishme është që të mos humbasin dhe ta mbajmë kundërshtarin pas nesh”.
Ofertat nga Turqia? “Kam pasur ofertë zyrtare nga Boluspor. Ishte një ofertë shumë e mirë financiare për mua, por kam menduar që këtë projekt me Vllazninë ta çojmë deri në fund. Presidenti më ka kërkuar të qendroj deri në fund. Kam rinovuar një kontratë të re dhe kam një klauzolë me shifër të lartë se tani. Alban Xhaferri më ka premtuar që me çfarë ofertë të mbërrijë në fund të sezonit të largohem. Dëshira ime është ta çoj deri në fund këtë projekt dhe të mos lë skuadrën në baltë. Te Vllaznia tani po projektojnë edhe titullin kampion duke parë që kemi diferencën që kemi. Do të tentojmë deri në fund dhe për mua do të ishte mirë që të qendroj dhe të vij ndonjë ofertë më e mirë”.