Partizani u eleminua ditën e sotme nga Kupa e Shqipërisë nga Besëlidhja. Edhe pse fituan me rezultatin 3-1 të kuqtë nuk arritën të kalonin në turin çerekfinal pasi kishin humbur në takimin e parë 3-0. Një eleminim i tillë, por edhe rezultatet negative në kampionat kanë bërë që tifozët të shpërthejnë kundër lojtarëve dhe klubit. Pas komenteve negative në faqen zyrtare të Partizanit nga tifozët, kanë reaguar edhe “Ultras Guerrils”, tifo-grupi më besnik i Partizanit. Në faqen zyrtare të tyre, Guerrilsat shprehen se ekipi kampion është shpërfytyruar dhe lojtarët nuk janë të denjë për këtë emër.
Postimi i “Ultras Guerrils”:
E keni mbushur kupën ka kohë, sot vetëm sa derdhët pikën e fundit të një turpi që e keni nisur prej muajsh dhe po e vulosni me eliminimin nga Kupa e Shqipërisë, veprimtari që në çdo sezon e keni përdhosur pa mëshirë.
Ekipi kampion është shpërfytyruar dhe nuk janë të denjë për këtë emër. Përgjegjës ata në fushë, përgjegjës ata në tribunën qëndrore. Maskarada të njëpasnjëshme të cilat po ju përkthehen me stadiume bosh në çdo ndeshje.
Por tifozët e Partizanit i kanë dënuar gjithnjë paturpësitë dhe pafytyrësitë. Të tallesh me fanellën e shenjtë të Partizanit nuk është skandal, është sakrilegj!
Shihemi në Laç!