
Jorgo Pëllumbi dhe Agon Elezi janë "de juro" pjesë e skuadrës së Varazdin. Është klubi kroat që ka zyrtarizuar dy ish-lojtarët e Skënderbeut përmes një njoftimi në kanalin zyrtar. Ata tregojnë se është mbyllur cdo procedurë dhe dy futbollistët janë gati për të dhënë kontributin e tyre.
"Pas përfundimit të procesit me dokumentet e nevojshme, lojtarët e rinj të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë janë pjesë e ekipit të Varazdin. Të dy vijnë nga klubi shqiptar i Skënderbeut të Korçës, ku ishin futbollistë titullarë në ekipin e parë.
Agon Elezi është një mesfushor 19 vjeçar, pjesë e ekipit kombëtar të Maqedonisë U-19. Ai është aktivizuar në 23 ndeshje me Skënderbeun.
Jorgo Pëllumbi, një lojtar mbrojtës 20-vjeçar që mund të luajë si i majtë është pjesë e ekipit kombëtar shqiptar. Ai ka qenë një lojtar i rëndësishëm në dy sezonet e fundit për Skënderbeun, aktivizuar në 55 ndeshje.
Ata janë të gatshëm për të luajtur që të dielën, ku do të presim në shtëpi Osijek. Agon dhe Jorgo, mirë se erdhët në Varazdin", shkruhet në kanalin zyrtar të klubit kroat.