Laçi nuk arriti të fitonte sot kundër Vllaznisë (0-0), në kuadër të javës së 27-të të Superiores. Një sfidë që do të vendoste shumë për fatin e titullit kampion, por në fund të dy ekipet ndanë pikë. Pas takimit ka folur Shpëtim Duro, i cili ishte deri diku i kënaqur me atë që skuadra e tij dha në fushën e blertë.
Kurbinasit janë në luftë për titullin kampion, megjithatë trajneri kryeqytetas kërkon të ulë presionin duke thënë se dëshiron t’i marrë një nga një gjitha ndeshjet. Për Supersport, “timonieri” i Laçit deklaroi:
“Në ndryshim nga dy ndeshjet e fundit që nuk kanë qenë pozitive, sot skuadra bëri një paraqitje të mirë, luajtëm kundër një rivali direkt. Me përjashtim të 10 minutave të para, pashë një tension te ekipi. Rrezikuam në 2-3 raste, ideale do të ishin 3 pikët, por çdo gjë është e pranueshme ndaj një rivali direkt.
Kritikat? Janë ndeshje që luhen për 3-4 raste. Patëm mundësi në pjesën e parë, por edhe në të dytën. Kur ke ndeshje me këto rivalë, këto situata duhet të zgjidhen per të mbyllur ndeshjen. Po çalojmë në finalizim.
Ndeshja me Partizanin në Kupë? Ndeshja me Partizanin është e kaluar. Aspekti fizik i atyre dy ndeshjeve me Partizanin ndikoi. Të 3 lojtarët e mesit të fushës kanë luajtur 100 përqind. Nuk janë zëvendësuar. Prezenca e tyre në dy ndeshjet e mëparshme s’ka qenë mirë. Sot të tre kanë bërë një ndeshje të mirë. Kur luajnë këta të tre, ekipi ka pamje tjetër. Ndeshja me Partizanin ka pasur probleme sepse pas 3 ditësh luanim me Tiranën.
Llogaritë e Laçit? Ndërrimi i Kërçikut ndodhi në 10 minutat e fundit sepse Harmon ishte konsumuar shumë. Doja t’i jepja freski krahut të djathtë. Por, gjithashtu edhe për të qenë të kujdesshëm. Kur nuk vjen fitorja, edhe barazimi është pozitiv sepse mbetesh në të njëjtat pozita.
Vllaznia? E gjithë strategjia e Vllaznisë u duk qartë, ishte ekip që u mbrojt gjatë gjithë kohës dhe dëshironte të shfrytëzonte hapësirat. Ekipi ynë ishte i kujdesshëm në kundërsulmet e tyre. Duhet të shfrytëzonim rastet e krijuara. Vllaznia e di forcën e skuadrës së Laçit. Ndoshta kjo ka qenë arsyeja se pse kanë ardhur të marrin 1 pikë”, përfundoi ai.