
Dinamo e këtij sezoni nuk është protagoniste në fushën e lojës, por kjo nuk do të thotë se gjërat kanë mbetur në vendnumëro. Kur janë luajtur shtatë javë nga ky sezon, blutë e kryeqytetit ndodhen të fundit me vetëm një pikë. Dinamo është duke kaluar një fazë jo të mirë, teksa dekadën e fundit nuk po mundet të ngjitet mes më të mirave të Shqipërisë.
Fillimi i këtij sezoni ka lëvizur ujërat në kampin dinamovit, teksa një kompani italiane ka marrë drejtimin e klubit. Gjërat kanë rrjedhur në mënyrën e vet, pasi drejtuesit e rinj kanë sjellë staf nga Italia për drejtimin e 18 herë kampionëve të vendit. Së fundmi mësohet se edhe çështja e pronësisë është drejt kalimit te kompania italiane, e përfaqësuar nga Marco Pontreli.
Mbetet që kalimi i pronësisë nga Besnik Sulaj, president i Dinamos, të ndodhë shumë shpejt; duke i hapur rrugë investitorëve italianë. Në këtë mënyrë, duke u nënshkruar edhe kontratat përkatëse mes palëve, gjithçka të zyrtarizohet për t'i hapur rrugën ringritjes së klubit. Tifozët e Dinamos duket se janë ngrohur nga ky lajm, teksa në rrjetet sociale shprehen optimistë për të ardhmen e klubit.