
Marko Cetkoviç nuk tregohet pesimist dhe beson se Partizani ka ende shanse të larta për të fituar titullin kampion.
Në një prononcim për Supersport, mesfushori i të kuqve shprehet se në sfidën kundër Kukësit që përfundoi në barazim 1-1, Partizanit i mungoi fati. "Besoj se të gjithë e panë që luajtëm shumë mirë që të gjithë si skuadër në përballjen me Kukësin. Patëm shumë raste për të shënuar golin e dytë, por fati nuk ishte me ne. Dëshiroj që në katër ndeshjet e mbetura të luajmë si ndaj Kukësit, sepse do të kemi shumë shanse për ta fituar titullin.
Kukësi dhe Skënderbeu sikurse ne, kanë ndeshje të vështira, kështu që kam bindjen se në fund do të shpallemi kampion. Mendoj se Kukësi do të lërë pikë rrugës, sepse ka dy ndeshje radhazi shumë të vështira me Flamurtarin dhe ndeshjen direkte e Skënderbeun. Flamurtari ka ende nevojë për pikë për mbijetesë, ndërsa Skënderbeu do të luajë të gjitha shanset për titullin. Shpresoj t'i fitojmë të gjitha ndeshjet tona dhe në fund të ngremë lart trofeun. Kukësit apo Skënderbeut? I druhem më shumë Skënderbeut", pranon Cetkoviç.
Të enjten në orën 18:30, Partizani do të presë Lacin në "Selman Stërmasi", por malazezi nuk mund të japë kontribut kundër ish-skuadrës së tij pasi ka plotësuar numrin 3 të kartonëve të verdhë.
"Ndaj Laçit sigurisht që do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne jemi në krye të klasifikimit dhe një skuadër më e fortë, kështu që do të fitojmë. Te Laçi janë disa lojtarë të cilët i kam patur shokë skuadre, si Gjoni, Vucaj apo Sefgjini, ndërsa 90% e ekipit janë emra të rinj", shprehet mesfushori i Partizanit.
30-vjecari mbërriti te Partizani gjatë merkatos së janarit si një perforcim shumë i rëndësishëm për fazën sulmuese. Është aktivizuar në 13 ndeshje, por ende nuk e ka gjetur rrugën e golit. Ndoshta titulli kampion mund të jetë një faktor i rëndësishëm për të vendosur zgjatjen e bashkëpunimit me të kuqtë.
"Nuk e di cfarë do të ndodhë, kam kontratë deri në fund të sezonit. Synimi im është të jap 100% në katër ndeshjet e mbetura dhe të fitoj titullin, më pas do të diskutoj për të ardhmen. Të shohim se çfarë do të ndodhë", përfundon Marko Cetkoviç.