
Skënderbeu përballet me Kastriotin nesër në orën 13.00, në kuadër të Kategorisë Superiore. Trajneri i korçarëve, Migen Memelli ka folur për mediet, në prag të këtij 90 minutëshi.
Ai vlerëson maksimalisht sfiden, por ka besim se të tijtë do dalin me pikë të plota nga ky takim. Diçka u tha edhe për arbitrimin, me Memellin që ka rezervat e tij. Skënderbeu synon mbijetesën, me sezonin që mbetet i gjatë dhe i vështirë.
"Gjykimi? Nuk kam asnjë problem për këtë pjesë, ajo çka duhet është të kemi mendjen te ndeshja e radhës. Çfarë ka kaluar nuk e kthejmë dot pas. E rëndësishme është të mendojmë për ndeshjen e radhës.Takimin e kemi përgatitur mjaft mirë. Skuadra ka qenë e impenjuar në seancat stërvitore. Çdo ndeshje është finale për ne, sikurse edhe e nesërmja. Jemi në një situatë ku ndeshjet pa asnjë diskutim duhet t'i vlerësojmë në maksimum.
Nuk kemi qenë të butë gjatë këtyre katër ndeshjeve që e drejtoj unë skuadrën.Sigurisht intensiteti dhe grinta janë rritur, gjë që e kemi dashur që në fillim. E vlerësojmë maksimalisht skuadrën e Kastriotit, si një skuadër me karakter të fortë. Ne kundërshtarët do t'i vlerësojmë maksimalisht, për të marrë pikët e plota.
Përveç Marës së dëmtuar dhe Taipit me karton të kuq, e gjithë pjesa tjetër e skuadrës është e plotë. Do shikojmë në seancë dhe do vendosim të luajnë ata që janë më të përshtatshëm për këtë ndeshje" - tha ai.