
Bylis arriti të merrte një fitore të artë ndaj Skënderbeut 1-0 në shtëpi. Një 3 pikësh ndaj nëj rivali direkt për mbijetesë bëri që ballshiotët të shkojnë 4 pikë larg Apolonisë së vendit të 9-të. I ftuar në emisionin "Fair Play" nga Enkeleida Zeko, zv.trajneri Bekim Kuli foli për sherrin e ndodhur pak javë më parë ndaj Laçit, por edhe për fitoren ndaj korçarëve.
Sherri ndaj Laçit? "Nuk kam patur asgjë serioze. Jam shkelur nga lojtarët e mi në momentin kur shkova për të qetësuar situatën. Nuk kishte asgjë serioze. Çdo gjë u mbyll aty. Kishte tension nga të dy palët dhe nuk u menaxhua mirë. Megjithatë këto gjëra prej tensionit ndodhin në të gjithë botën.
Presioni vjen duke u rritur dhe kjo ndjehet te psikologjia e lojtarëve. Ndeshjet kanë qenë të ngjeshura. Në atë ndeshje me Laçin ishte terreni i rënduar. Ka vite që dy ekipet kanë rivalitet me njëri-tjetrin. Na vjen keq që ndodhi, por nuk kam ç'të them më shumë, sepse janë gjëra që ndodhin në futboll.
Fitorja ndaj Skënderbeut? "Bylisi ka disa javë në ngritje. Ka potencial. Presidenti ka bërë disa blerje dhe e ka përforcuar ekipin. Jemi ekip i ndërtuar mirë dhe nga java në javë po bëjmë maksimumin. Ekipi ynë nuk duhet të kalojë në eufori. Duhet të shohim përpara, që nga ndeshja e radhës që kemi me Tiranën".
Ekipet pretendente? "Laçi, Teuta dhe Partizani janë skuadra të forta që janë pranë titullit kampion. Kanë mbrojtje të mirë dhe shënojnë shumë gola".