Bylis i këtij sezoni ka bërë për vetë shumë sportdashës, duke dhuruar paraqitje impresionuese. Një gjë të tillë e shpreh edhe renditja pas 14 javësh kampionat, me ballshiotët që renditen në vendin e tretë vetëm dy pikë larg kryesuesve. Fitorja e fundit ndaj liderit të sezonit dhe kampionit në fuqi (Partizanit), ka shtuar oreksin në kampin e Bylis.
Trajneri Dovedan është duke bërë një punë të mirë me grupin, duke zbuluar vërtet talente mes tyre. Një ndër emrat që ka bërë mirë këtë sezon është dhe Franci Ymeralilajn, me titullarin që mbeti i dëmtuar rreth një muaj e gjysmë më parë në ndeshjen ndaj Luftëtarit.
Lojtari pritet të operohet duke munguar për një kohë të gjatë. Ymeralilaj pritet të mungojë për gjashtë muaj, duke mbyllur kështu këtë sezon. Në rastin më të mirë, nesë gjithçka shkon në rregull me fazën rikuperuese, do jetë fundi i majit ai që mund ta rikthejë lojtarin në fushë, çka do të thotë në javët e fundit të sezonit 2019-2020.