Bylis arriti të dalë e pamposhtur në shtëpi në superduelin me Elbasanin. Ndeshja u mbyll pa gola dhe ballshiotët ruajnë kryesimin +2 nga verdheblutë. Pas ndeshjes, trajneri Arian Bellai dha prononcimin e tij për MCN TV.
“Të gjitha fjalët e mira janë për djemtë, i përgëzoj. Mund të mos kemi luajtur mirë sot, por kishim të dyja rezultat edhe pse u futëm për fitore. Nuk na del më ajo loja e rrjedhshme që bënim në fillim, por rëndësi kanë rezultatet tani. S’ka më lojëra të bukura, kampionati tani është matematikë.
Në futboll nuk mund të luash gjithmonë me 11 lojtarë, sot mungonte Maçolli, por nuk ishim shumë të qartë në lojë. Nga mbrapa ishim më të qetë pasi Goxha e Krasniqi janë me eksperiencë. Sot na mungoi besimi, nuk e kemi më atë që kishim në veprime individuale e kolektive. Për mua rëndësi ka që ne marrim ato që kërkojmë. Do të punojmë, janë edhe 11 ndeshje.
Duhet ta mbajmë gjithmonë vendin e parë, Elbasani nuk na ka kaluar këtë sezon. Duhet të punojmë pasi është e vështirë të mbahet. Kemi ndeshje të vështira në fazën e tretë që do të luftojnë për synimet e tyre.
Me Superioren, si Elbasani edhe Bylis i kanë kualitetet për ta përballuar. Por, duke luajtur në Kategorinë e Parë ka kualitete ndryshe. Besoj se nuk do të bënim keq, luajmë bukur, kemi eksperiencë. Jemi me diferencë të parët dhe të dytët, e meritojmë të jemi në Superiore”, tha Bellai.