
Zvicra luan sot takimin e vështirë kundër Spanjës në Nations League. Në formacionin e mundshëm natyrisht nuk mungon i përhershmi Granit Xhaka, por vend duket se do të ketë edhe për një tjetër shqiptar.
Në konferencën për shtyp ka folur Giorgio Contini, zëvendës trajneri i “Helvetëve”. Murat Yakin mungonte për arsye gripale dhe para shtypit është paraqitur Contini. Ai tha se në mbrojtje do të ketë ndryshime dhe një shans mund t’i jepet Albian Hajdarit. Gjithashtu edhe në sulm parashikohen ndërrime dhe mundësi ka të aktivizohet përsëri një shqiptar, Andi Zeqiri.
“Murat Yakin është i detyruar të ndryshojë në krahasim me paraqitjet e fundit. Ndërrime do të ketë në repartin e mbrojtjes, por edhe në atë të sulmit. Dëmtimet kanë sjellë këtë gjendje.
Amenda është jashtë për shkak të një gjuri të mavijosur. Hajdari, një i ri i talentuar do të ketë mundësinë të jetë titullar.
Sulmuesi kryesor, Embolo na mungon. Lojtarë si Andi Zeqiri apo Noah Okafor mund të jenë zëvendësuesit e mundshëm. Mund t’a përdorin këtë shans për të treguar veten.
Kundër Serbisë, Monteiro dhe Kutesa sollën frymë pozitive dhe nuk përjashtohen si alternativa.", u shpreh Contini.
21 vjeçari, Hajdari do të ketë mundësinë “e artë” të tregojë sa vlen kundër një rivali si Spanja, për më tepër që në minutën e parë. Ka gjasa që sfida kundër fitueses së Europianit të ketë 3 lojtarë shqiptarë në fushë që në fillim, duke i dhënë tone kuqezi mbrëmjes.