
Ndërsa të gjithë po flasin për paratë që po vonojnë të vijnë te Milani, pas tratativës së ngritur me grupin “Sino Europe Sports”, në mjediset financiare të gjithë kanë nisur të flasin për një prapaskenë shumë interesante që zbuloi dje e përditshmja italiane “Repubblica”.
Me sa duket, grupi “Suning”, që po kërkon të ringrejë Interin në elitë, mund të kishte zgjedhur Milanin për të investuar milionat e tyre, në këtë rast jo virtuale si të Jonghong Li-së.
Gjithsesi, për të qetësuar tifozët e tij, dje në mbrëmje ka folur vetë Silvio Berluskoni, i cili në lidhje me tratativën ka theksuar:
“Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Kinezët thjesht na kanë kërkuar një shtyrje tjetër të afatit dhe unë nuk shoh asgjë negative. Investitorët kanë derdhur dy këste të konsiderueshme, gjë që tregon se ata janë tepër seriozë dhe ju garantoj për këtë. Ndaj, tifozët të qëndrojnë të qetë”.