
Administratori i Korabit, Femi Mziu ka dhënë një prononcim për mediat lokale në Dibër. Mziu ka folur për çështjen e stadiumit, ku me shumë gjasa ndaj Vllaznisë Korabi do të luajë në shtëpi. Gjithashtu sipas tij, shpresat e skuadrës dibrane për mbijetesë nuk janë shuar, teksa garanton që ekipi i Korabit do të luajë pastër deri në fund të sezonit.
"Stadiumi? Ç'është e vërteta dje i pritëm pasi ne mbaruam të gjitha pikat që kishte vënë Federata për të bërë të gatshëm një impiant futbolli në Superiore. Dje i panë të gjitha. Nuk ka ngelur asgjë për t'u bërë. Shpresojmë që të dielën të luajmë këtu, pasi kemi ndeshjen si pritës. Duke bërë këtë intervistë iu bëj thirrje të gjithë tifozërisë, pasi Korabi nuk është i një individi. Korabi është i një komuniteti dibran. Me ardhjen e Korabit këtu, që përfaqëson Dibrën, besoj se gjërat do të ndryshojnë.
Mbijetesa? Asgjë nuk është e mbyllur. Ekipi i Korabit garanton se do të luajë garën deri ndeshjen e fundit dhe do të zhvillojë ndeshje akoma më të bukura seç ka zhvilluar", ka përfunduar Mziu.