Me largimin e përkohshëm të Gentjan Muçës, Tirana ka humbur një nga lojtarët më të mirë pa të cilin trajneri Ilir Daja duhet të bëj llogaritë gjatë përgatitjeve verore. Megjithatë, klubi bardheblu, pasi ka zyrtarizuar këtë huazim të përkohshëm, ka premtuar në faqen zyrtare ne facebook se shumë shpejt do të prezantohen disa përforcime cilësore si dhe ndryshime të reja që pritet të ndodhin në klub. Bardheblutë kanë afruar Ilion Likën, Marvin Turtullin dhe David Domgjonin deri në këtë moment si dhe kanë rinovuar me disa futbollistë. Shumë shpejt pritet të ketë të tjera lëvizje të bujshme në skuadrën që do të kompletohet për të tentuar trofe sezonin e ardhshëm.

“Gentjan Muça do të luaj me Kukësin në Europa Ligë. Klubi ka miratuar sot kërkesën e bërë nga FK Kukësi për të marrë mbrojtësin bardheblu me formulë huazimi për aventurën europiane. Në përfundim të kësaj aventure, Muça do të rikthehet sërish te Tirana për të vijuar përgatitjet për sezonin e ri. Në mungesë të pjesëmarrjes në Kupat e Europës, klubi po punon për të afruar në skuadër lojtarët e duhur për të rikthyer Tiranën në nivele të larta. Shumë shpejt do të zyrtarizohen përforcimet e para, axhenda për përgatitjet parasezonale dhe ndryshime të tjera që po bëhen për të sjellë suksesin e munguar”, shkruhej në faqen e klubit bardheblu.