
Partizani luajti dje kundër Apolonisë, ndeshje që përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të të kuqve. Goli i Jasir Asanit mjaftoi që kryeqytetasit të merrnin 3 pikë mjaft të rëndësishme në një takim që presioni për fitore ishte i madh. Partizani dominoi totalisht sfidën, mirëpo goli nuk po vinte. Rezultati 1-0 është i gënjeshtërt në krahasim me atë që të besuarit e Ilir Dajës dhanë në fushën e blertë.
Tekniku kryeqytetas zgjodhi të hidhte në fushë në minutën e 60-të Ferhan Hasanin. Arsyeja ishte e qartë: Eksperienca e "Bubës" do t'i ndihmonte të kuqtë të largonin presionin që rritej me kalimin e minutave. Dhe në fakt kështu ndodhi. Edhe pse jo në kondicionin e duhur fizik, Hasani qetësonte lojën duke bërën që shokët e tij të ekipit të ishin më konkretë para portës kundërshtare.
Në minutën e 76-të, kombinimi i bukur Junior - Çinari - Asani solli golin e shumëpritur. 3 pikë të rëndësishme që tashmë ngjisin të kuqtë në vendin e parë të Kategorisë Superiore.