
Një lajm i bujshëm ka qarkulluar së fundmi në media, pasi shkruhet se Sulejman Starova do të kandidojë për postin e presidentit të FSHF-së. Trajneri i Partizanit do të largohet nga pozicioni që mban aktualisht në skuadrën kryeqytetase dhe mendohet se do të hyjë në garë me Armando Dukën për postin e presidentit të Federatës.
Në lidhje me këtë temë, presidenti i Partizanit, Gaz Demi dhe ai i Kukësit, Safet Gjici kanë dhënë mendimet e tyre në prononcimet për Supersport.
DEMI – “Presidenti i Federatës nuk mund të kandidohet me emra, por me platforma. Nuk e di a ka platformë Starova apo jo, nuk mund ta them unë. Starova është marrë edhe përpara me federatën. Sa i përket Partizanit, të gjithë e dinë që kemi bërë një marrëveshje xhentëlmenësh që të dalë në pension me mua personalisht dhe me Partizanin dhe rolin e trajnerit e ka vetë në dorë ai. Do rrijë apo do ikë, e vendos vetë ai. Ju e dini që është këshilltari im kryesor. Tani që m’u shtua edhe një tjetër, do jetë përkrah Moxhit, nëse nuk do të jetë më si trajner”.
GJICI – “Nuk besoj se mund ta bëjë punën e federatës Starova. Unë e njoh si punon ai. Është e drejtë e gjithkujt të dëshirojë diçka, por problemi është sa e arrin atë vend. Nuk besoj ta bëje, pasi ai ka qenë sekretar i përgjithshëm i federatës dhe nuk ka pasur ndonjë rezultat. Kështu që them që është një kandidat i djegur akoma pa filluar garën. Në çdo ekip që shkon, nxit presidentët e klubeve të shkojnë të marrin presidencën e federatës”.