
Tashmë nuk ka më dyshime. Ish-mbrojtësi i Partizanit, Blerim Kotobelli do të luajë sezonin e ardhshëm me skuadrën e Flamurtarit. 25-vjeçari që pati një sezon me "ulje-ngritje" te 15-herë kampionët e Shqipërisë, do të jetë pjesë e kuqezinjve.
Newsport.al ka mësuar ekskluzivisht nga burime të besueshme pranë klubit të Flamurtarit, që sot ai do të mbërrijë në Vlorë ku do të hedhë edhe të "zezën mbi të bardhë". Mëngjërashi është në planet e trajnerit Ilir Daja, i cili e ka kërkuar ta ketë në organikën e tij për sezonin e ri futbollistik.
Bëhet me dije që palët kanë arritur parimisht akordin, për sa i përket edhe termave financiarë.
Kujtojmë që Kotobelli ishte sezonin e shkuar pjesë e Partizanit. Mbrojtësi i majtë u afrua me mjaft bujë nga të kuqtë, megjithatë nuk arriti të përshtatej si duhet me të kuqtë, për faktin se nuk pati shumë hapësira në formacionin e Starovës apo më vonë të Dalipit.
Tashmë pritet të shihet se si do të jetë performanca e tij në këtë sezon të ri futbollistik ku do të kontribuojë për ngjyrat e Flamurtarit. /Newsport.al/