
Historia e sportit na ka sjellë në vite dhe dekada shembuj të trashëgimisë së dispilnave sportive në familje. Kujtojmë këtu dy vëllezërit Michael dhe Ralph Schumacher që kanë qenë pilotë në Formula 1 apo Johann dhe Jordi Cruyff që luajtën futboll në nivele të larta. Për të ardhur në ditët modern me vëllezërit Xhaka apo Boateng. Shembuj të tillë ka plot pasi sporti është një kënaqësi më vete dhe transmetohet brez pas brez, por ajo çfarë ka sjellë familja Arbëri në sportin e futbollit është diçka unike jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë Europën.
Familja me origjinë nga qyteti i Beratit ka nxjerrë plot 5 futbollistë në nivele shumë të larta dhe profesioniste. Një rast i tillë është i veçantë dhe unik në Europë, pasi nuk kemi parë e as dëgjuar që nga një familje të dalin 5 sportistë profesionistë dhe të shtrihen në 4 dekada duke hyrë në librat e historisë.
Gjithçka në këtë familje e ka filluar Theodhor Arbëri. Dhori siç njihet në ambientin sportive shqiptar dhe veçanërisht në atë berates lindi në 3 mars të vitit 1953. Që në rini u dallua talenti i tij për futbollin dhe për këtë arsye shkolla sportive në Tiranë e mori në organikën e saj. Pasi u formua si një lojtar te Shkëndija ku edhe luajti për 4 vite u transferua më pas te ekipi i qytetit të tij, Tomori. Me beratasit zhvilloi më shumë se 400 ndeshje mes viteve 1978-1992 duke shënuar gola të paimagjinueshëm e duke luajtur në periudhën e artë të futbollit shqiptarë përballë kolosëve si Minga apo Musta.
Gjurmët e tij do ndiqte edhe vëllai më i ri në moshë, Arbeni. I lindur në 1 qershor të vitit 1964, Beni u dallua mënjeherë si një sulmues i lindur. Bëri karrierë me Tomorin nga viti 1985-1990 ku në sezonin 1986-1987 të Superligës arriti madje të fitonte edhe Këpucën e Artë duke shënuar 14 gola. Fitoi edhe 3 prezenca me kombëtaren kuqezi dhe më pas zhvendosi karrierën e tij në Greqi te PAS Ganinna duke luajtur me sukses në vitet e tjera të aktivitetit të tij futbollistik.
Por nuk do ndaleshin me kaq vëllezërit Arbëri. Kjo pasi sërish vëllai i tyre, më i vogli ndër ta, Klodjani do ishte i rradhës nga familja Arbëri që do shkëlqente në futbollin shqiptar. Ashtu si vëllezërit edhe ai luan në pozicion e sulmuesit. Debuton me Tomorin që në rini dhe në sezonin 1999-2000 është golashënuesi më i mirë i Superligës duke shënuar 18 gola ku Tomori është nënkampion dhe në stol drejtojnë Theodhor Arbëri dhe Kristaq Mile. Transferohet në Slloveni në sezonin 2000-2001 ku luan me kampionët e Maribor. Me rikthimin në Shqipëri aktivizohet në ekipet më me zë si: Tirana, Dinamo, Partizani, Lushnja apo edhe Bylis, por spikat me një sezon 2002-2003 ku Vllaznia në atë kohë në drejtimin e presidentit të ndjerë Myftar Çela udhëhiqej nga golat e beratasit.
Dinastia në futboll e familjes Arbëri nuk do ndalej. Në skenë do dilte Gersi Arbëri. Djali më i madh i Theodhorit. U dallua që në vogëli për talentin etij ku ishte pjesë e kombëtareve zinxhirë të Shqipërisë. Madje në kulmin e tij u grumbullua edhe nga kombëtarja e parë e kuqezinjve që në atë kohë drejtohej nga italiani Dossena. Një dëmtim në gjurin e djathtë e penalizoi në njëfarë mënyrë që të shfaqte potencialin e tij të plotë. Megjithatë karriera e tij vazhdoi ku në vendin tonë spikati me ekipet e Lushnjes dhe Bylis pa harruar normalisht Tomorin. Sot, Gersi është një nga trajnerët e plejadës së re në vendin tonë dhe po udhëheq me sukses ekipin e Tomorit.
I fundit, por jo më pak i rëndësishmi nga familja Arbëri që ka bërë emër në futbollin shqiptar është Polizoi Arbëri. Ndoshta 'prishi' traditën duke luajtur si mbrojtës i djathtë ku debutoi që në moshën 15 vjeçare me skuadrën e Tomorit dhe shënoi një gol të rëndësishëm për të mbajtur beratasit në Kategorinë e Parë.
I bukur është një kuriozitet kur në sezonin 2009-2010, Bylis dhe Lushnja kërkon shërbimet e Gersi Arbërit. Një mik nga Lushnja i xhaxhait të Polizoit dhe Gersit, pra Klodjanit donte të merrte vetëm Gersin te verdhejeshilët. Por, Klodjani iu bëri me dije se duhet të afronin në ekip edhe Polizoin pasi nuk do zhgënjeheshin. Të dy luajtën më Lushnjen atë sezon duke spikatur. Në karrierën e Polizoit një rol të madh luajtën edhe Shpetim Gjika dhe Gugash Magani që e morën nga Bylis te Flamurtari për një shifër rekord dhe ishte transferimi i parë mes klubeve shqiptare ku paguhej.
Një falenderim i veçantë për këtë dinasti futbollistësh shkon edhe për klubet e Tomorit dhe Lushnjes që lejuan këta djem të shfaqnin vlerat e tyre. Por një respekt të jashtëzakonshëm për Arbërti dhe sidomos për Klodjanin dhe Polizoin që kanë mbajtur veshur fanellën e Vllaznisë gëzojnë edhe në Shkodër pasi shkodranët si një popull futbolldashës dhe dashamirës dinë të vlerësojnë figura të tilla.
Një dinasti e tillë futbollistash është e padëgjuar më parë në mbarë Europën dhe ndoshta disi janë lënë në 'harresë' duke mos iu kushtuar vëmendjen dhe dhënë vlerësimet e duhura. Ndoshta ngaqë vijnë nga një qytet i vogël si Berati ose për shkak të politikave të gabuara që ndiqen në vendin tonë në çdo fushë të jetës. Por dinastia Arbëri në futboll është një faqe e artë e historisë së sportit në vendin tonë dhe vështirë se në të ardhmen do gjejmë një shembull të tillë dhe kaq të veçantë. /Newsport.al/
[gallery size="full" columns="1" ids="232555,232556,232557,232558,232559"]