Elis Bakaj ka dalë sot në stërvitje me skuadrën e Tiranës. Për momentin vetëm për të qenë në formë dhe të ritmin e duhur, duke qenë se është larguar tashmë nga RNK Split dhe merkato e janarit kërkon 1 muaj e gjysmë që të hapet.
Në një intervistë për Supersport, golashënuesi i bardhebluve në dy sezonet e fundit pranon se primare për të është të luajë jashtë Shqipërisë, por nëse kjo nuk ndodh, ai pranon se Tirana do të jetë skuadra e vetme shqiptare ku ai do të nënshkruajë.
“Tiranën e kam si shtëpinë time dhe për këtë duhet të falënderoj drejtuesit e klubit që me kanë dhënë mundësinë të stërvitem me ekipin. Ka edhe një muaj e gjysmë kohë deri sa të hapet merkato e janarit kështu që isha i detyruar të vijojë stërvitjen për të qenë gati fizikisht te skuadra ku do të nënshkruaj. E përsëris nëse do të luaj në Shqipëri kjo do të ndodhë vetëm me Tiranën.”
Prej disa sezonesh Tirana ka qenë larg pretendimeve të emrit që përfaqëson, por skuadrën aktuale Bakaj e sheh të një niveli më të lartë.
"Ndryshe nga vjet kjo skuadër është me e shpejtë në fazën sulmuese. Unë e shoh pretendente për titullin.
Pas 11 javëve të para të kampionat, rivaliteti për titullin e ka bërë shumë më tërheqëse garën. Bakaj sheh katër pretendentë, që mund ta dalin ta fitojnë trofeun më të rëndësishëm të futbollit në vend.
“Është Skënderbeu, Kukësi, Tirana dhe Partizani. Janë katër skuadra thuajse të një niveli që do të rivalizojnë deri në fund për titullin. Skënderbeu ndoshta ka pasur më shumë eksperiencë , por nuk e shoh më lart se të tjerët”, shprehet Elis Bakaj.