Laçi është kthyer në një kantier të vërtetë këto ditë, ku po punohet me ritme të shpejta për të gjetur lojtarët e duhur për sezonin e ri futbollistik. Largimi në masë i titullarëve detyroi presidentin Pashk Laska që të bëjë një ristrukturim të skuadrës, ndërsa ardhja e Marcello Troisit ka dhënë efektet e para.
Përpos katër brazilianëve dhe lojtarëve që janë në përbërje nga sezoni i shkuar, tashmë te Laçi kanë mbërritur dhe Kristi Hyseni dhe lojtarë të tjerë që e njohin kampionatin shqiptar. Por, në ditët e ardhshme do të bëhet pjesë e bardhezinjve dhe Ilir Kastrati, i cili në dy sezonet e fundit ka luajtur për Sopotin.
Veç Kastratit, për qendrën e mbrojtjes bardhezi do të jetë Bruno Lipi. Lojtari u afrua në merkaton e janarit nga Bylisi, por që tashmë i ka skaduar kontrata. Lipi ishte në provë te Flamurtari, por që nuk e bindi trajnerin Gugash Magani. Megjithatë, ai duket se ka siguruar kontratë me presidentin Laska dhe e ardhmja e tij duket se është Laçi.