Te Luftëtari numri i lojtarëve të ardhur në provë sa po vjen e po zvogëlohet. Nëse në ditët e apra shifrat shkonin në rreth 50, në ditët e fundit ata janë rralluar, ndërsa grupi ka mbetur me më pak se 25 vetë. Duke përfshirë të konfirmuarit, por edhe ata që janë në provë, trajneri Milinkoviç është vënë në punë duke treguar se do të ndërtojë ekip konkurrues me element të ri.
Pas largimit të portierit Shkëlzen Ruçi, radha ka qenë e portierit tjetër Ilia Petro. Veç dy portierëve, nga Luftëtari janë larguar edhe Zogaj, Përgjini, Llaka dhe Dadaj. Kështu, stafi teknik tashmë po mendon që të bëjë afrimet e duhura, duke nisur nga porta e deri në sulm. Nëse do të afrojnë vetëm të huaj, normalisht atyre iu duhet që të afrojnë dhe shqiptarë, por që ende nuk janë bërë të ditur emrat.
I vetmi që iu ka mbizotëruar përgatitjeve dhe provave është sulmuesi tiranas Kristal Abazaj. Ky i fundit ka dalë nga moshat e Partizanit, ka luajtur sezonin e shkuar për Elbasanin dhe ka shënuar 7 gola në 13 ndeshje. Madje, i ka shënuar edhe Luftëtarit, duke i lënë mbresa stafit drejtues që tashmë duket se do të firmosin me të.