Sot, është çelur zyrtarisht merkato e verës. Zhvillime të nxehta priten në këtë periudhë hyrje-daljesh teksa priten me interes se si do të përforcohen ekipet e kreut. Shumë emra janë lakuar për gjatë gjithë kësaj periudhe, por ende s’ka pasur diçka konkrete. Kamza dhe Gjirokastra duken se janë dy destinacionet ku do të tentohet të “rrëmbehet” ndonjë element cilësor.
Ekipi kryeqytetas u shpërbë pas përjashtimit nga elita dhe tashmë gjithë lojtarët janë të lirë. Ndërsa te Luftëtari ka nisur eksodi pas përfundimit të këtij sezoni futbollistik. Behar Ramadani, Shkëlzen Ruçi, Albano Aleksi dhe shumë të tjerë duken se i kanë dhënë lamtumirën gjirokastritëve. Priten me interes të shihen lëvizjet e kësaj vere, teksa Kamza dhe Gjirokastra duken si pazari më i dëshiruar ku “gjithçka” mund të merret falas.