Mirsad Jonuz është trajneri i ri i skuadrës së Vllaznisë. Lajmi është bërë me dije nga klubi shkodran që përmes një komunikate për mediet bënte lajmëronte se ish-tekniku i kombëtares së Maqedonisë U-21 ka zgjedhur të vijojë karrierën në krye të pankinës kuqeblu.
Pas shumë e shumë emrash, më në fund Vllaznia ka zgjedhur “timonierin” që do të drejtojë ekipin në Superiore. Në fakt CV-ja e tij është mjaft e mirë, megjithatë gjithçka do ta tregojë fusha e blertë nëse goditja e drejtuesve ka qenë ose jo e duhura.
“Pas firmave në kontratë me disa futbollistë të cilët do të jenë pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm futbollistik, drejtuesit e klubit kanë vijuar punën edhe në aspekte të tjera. Për këtë arsye, ditën e sotme është arritur akordi edhe me trajnerin që do të drejtojë ekipin e Vllaznisë në vijim. Njeriu i përzgjedhur për këtë arsye, është Mirsad Jonuz, një trajner shumë i njohur në Maqedoni dhe jo vetëm. Trajneri maqedonas gjatë karrierës së tij në drejtim ka punuar me disa ekipe duke filluar nga ai i Rabotniçkit, për të vazhduar me Pobeda Prilep, para se të merrte drejtimin e kombëtares U21 të Maqedonisë të cilën do ta drejtonte nga vitet 2003-2009. Në këtë vit i është besuar drejtimi i ekipit të parë të kombëtares së vendit fqinj. Në krye të kombëtares maqedonase ka qëndruar për dy vite duke e drejtuar në 30 ndeshje.
Pas kësaj, ka punuar në krye të ekipit qipriot Nea Salamis. Ka provuar të jetë edhe drejtor teknik tek FC Horizont Turnovo në vendin e tij ndërsa në sezonin e kaluar ka qenë trajner i ekipit FC Aiginiakos në Greqi.
Me z. Jonuz drejtuesit e klubit Vllaznia kanë rënë parimisht dakord për gjithçka sa i takon kushteve të kontratës dhe ai pritet që në ditët në vijim të mbërrijë në Shkodër për të firmosur kontratën dhe për t’u prezantuar zyrtarisht para mediave. Pas kësaj, do të vihet në krye të ekipit për të filluar përgatitjet për sezonin e ri futbollistik”, shkruhej në njoftimin e klubit të Vllaznisë.
Kujtojmë që në edicionin e shkuar ishte Agim Canaj ai që drejtoi skuadrën e Vllaznisë. Por, siç duket tekniku i njohur nuk është dakortësuar me drejtuesit për të vijuar punën në sezonin e ri.