Julian Grin është zyrtarisht një futbollist i Shtutgartit. Sulmuesi 21-vjeçar ka lënë Bajernin e Mynihut për t’iu bashkuar skuadrës që militon në Bundesligën 2 në Gjermani. Ai ka firmosur një kontratë deri në 2019-ën.
Talenti amerikan nuk po gjente hapësira te Bajerni duke parë se në skuadrën e Ançelotit ka sulmues si Levandovski dhe Myler. Edhe vetë drejtori ekzekutiv i klubit bavarez, Karl Hainz Rumenige pranoi se ky transferim është zgjedhja më e mirë për Grin.
“Kishte pak mundësi që të luante titullar. Në moshën e Grin, të gjithë duan të kenë sa më shumë hapësira dhe ai nuk e kishte një mundësi të tillë te Bajerni. Tashmë ka një mundësi të artë për të treguar vlerat e tij. I urojmë suksese”, tha Rumenige për mediat gjermane.
Julian Grin është produkt i akademisë së Bajernit dhe u bë i njohur në Botërorin e 2014-ës në Brazil kur me fanellën e SHBA-ve, sulmuesi i talentuar i shënoi Belgjikës.