Christian Eriksen është më në fund një lojtar i Inter, edhe zyrtarisht. Danezi vjen nga Tottenham, aty ku në fund të sezonit i mbaronte kontrata dhe Spurs nuk dëshironte të mos fitonte gjë prej tij. Inter bëri një “cicërimë” në rrjetet sociale, aty ku njoftoi marrëveshjen me Eriksen. Sipas mediave italiane, Ausilio dhe Marotta rrëmbyen nga PSG mesfushorin me tipare sulmuese, duke bërë që Conte të ketë një ekip të frikshëm në dispozicion.
Lojtari do të mbajë numrin 24 mbi shpinë dhe kontrata që e mban lidhur me Inter është 5 vjeçare, me një pagë afro 8 milion euro në sezon. Prezantimi në teatrin e famshëm “La Scala” dhe shumë dashuri nga tifozët, kjo ishte dita e parë e danezit në Milano. Ora 15:30 e kësaj pasditeje do e shohë lojtaqrin më të ri të zikaltërve me grupin, aty ku do të zhvillojë seancën e parë stërvitore me ekipin e ri.
“Mezi pres të luaj këtu dhe jam shumë i lumtur që jam futbollist i Inter. Dua të njoh tifozët dhe e kam ndierë qysh dje përkrahjen dhe dashurinë e tyre. Nuk më interesojnë statistikat por di që në Angli bëra mirë dhe shpresoj që këtu të arrij diçka më shumë. Ka ardhur koha e një sfide të re”, tha mes të tjerash 27 vjeçari Eriksen për mikrofonin e Inter TV.