Jurgen Goxha është lojtari më i ri i Tiranës. Qendërmbrojtësi i njohur ka kaluar me sukses provën 2-javore dhe tashmë ka firmosur me ekipin bardheblu.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka treguar që ka zgjedhur skuadrën për pjesën e mbetur të sezonit. Siç duket trajneri Ardian Mema është kënaqur nga performanca e tij dhe ka vendosur që 26-vjeçari të jetë pjesë e organikës për javët e mbetura të këtij sezoni futbollistik.
Ai luan si qendërmbrojtës dhe në pjesën e parë të edicionit, ishte pjesë e Erzenit të Shijakut në Kategorinë e Parë, ku arriti të shënonte 7 gola në 12 ndeshje. Më parë ka luajtur në ligat inferiore me skuadra si Shënkolli dhe Besëlidhja.