Pas largimit nga skuadra e Veljes, Ylber Ramadani ka gjetur menjëherë skuadër. Mesfushori i kombëtares shqiptare ka nënshkruar me ekipin e MTK Budapest.
Lajmi bëhet me dije nga kanali zyrtar i klubit hungarez që i bën një rezyme të shkurtër lojtarit shqiptar.
“Klubi ynë ka rënë dakord për gjithçka me Ylber Ramadani, mesfushori i kombëtares shqiptare ka nënshkruar me ekipin tonë.
I lindur në Gjermani, Ylber Ramadani u bë një lojtar profesionist në Kosovë. Ai spikati në arenën ndërkombëtare në ndeshjen e Partizanit kundër Ferencvaroshit.
Në atë sfidë kampioni hungarez u eliminua dhe pikërisht në atë vit, ai u shpall lojtari i vitit. Me të përfunduar ndeshjet e Champions League, klubi i Veljes në Danimarkë e bleu duke i ofruar një kontratë 4-vjeçare. Tani ka vendosur të pranojë ofertën e MTK Budapest”.
Kujtojmë që para disa ditësh i grumbulluar me Kombëtaren, Ramadani deklaroi se në vendin tonë do të rikthehej të luante vetëm me Partizanin. Mirëpo siç duket hë për hë ai preferon të vijojë karrierën larg Shqipërisë.