Flamengo dhe Inter kanë gjetur dakordësinë sa i përket të ardhmes së Gabriel Barbosa, i njohur ndryshe si Gabigol. Brazilianët kanë konfirmuar se kanë gjetur gjuhën e përbashkët me palët, duke e blerë përfundimisht kartonin e 23 vjeçarit. Barbosa kaloi nën pronësinë e Inter në verën e 2016 dhe me zikaltërit nuk ishte në lartësinë e pritshme.
Huazimi te Flamengo nga Seria A ishte i duhuri për Gabigol, ekip me të cilin sulmuesi fitoi edhe Kupën Libertatores duke shënuar dy gola në finale. Sipas mediave në Brazil, tanimë nuk ka më dilema dhe Barbosa është një lojtar i Flamengo deri në 31 dhjetor 2024. Pasi “shëtiti” në disa klube, Gabigol më në fund ka gjetur golat dhe dashurinë e tifozëve te Flamengo.