Ndeshja e së enjtes midis Kosovës dhe Maltës ngjalli interesimin e shumë qytetarëve për sfidën e vlefshme për Ligën e Kombeve. Por ditën e djeshme u regjistruan incidente dhe përplasje mes të interesuarëve për të blerë biletat e ndeshjes Kosovë-Maltë derisa ndërhyri policia duke shpëndarë turmën.
Radhët e gjata për bileta u shtuan dhe ditën e sotme që në orët e para të mëngjesit. Por, sipas informacioneve të fundit që jep gazeta “olle” drejtori i Zyrës së Shitjes së Biletave Arjanit Buraku konfirmoi se të gjitha biletat për takimin e së enjtes janë shitur.
“Po, të gjitha biletat për ndeshjen Kosovë -Maltë janë shitur. Nuk është më asnjë biletë në dispozicion”, u shpreh Buraku.
Kosova do të kërkojë fitoren e dytë në fazën e parë të Ligës së Kombeve në stadiumin e Prishtinës “Fadil Vokrri” në orën 20:00.