Menjëherë pas ndeshjes së humbur me Tiranën ka folur për mediat edhe trajneri i Luftëtarit Milos Kostiç. Në një prononcim për Supersport tekniku i gjirokastritëve ka folur rreth kësaj disfate, duke theksuar se marrja e një vendimi mbi të ardhmen e tij pas kësaj ndeshje është shumë e vështirë. Megjithatë ai theksoi se javën e ardhshme pret kthesën e madhe përballë Teutës.
“Është shumë e vështirë të kesh 0 pikë pas katër ndeshjesh, pasi askush nuk e priste një gjë të tillë. Ne kemi punuar shumë fortë por futbolli mund të jetë dhe kështu. Është vështirë të marr një vendim të zgjuar pas kësaj ndeshje. Tirana i meritoi këto tre pikë pasi pati më shumë raste. Fatkeqësisht dy lojtarë me eksperiencë na janë bashkuar vetëm këtë javë, dhe që janë një kualitet që mund të përdorim në ndeshjet në vijim. Por ishte e vështirë që t’i përdornim në këtë takim. Në ndeshjen e ardhshme kundër Teutës do bëjmë kthesën e madhe. Pësimi i golave ishte vetëm për shkak të mungesës së përqendrimit dhe jo prej mungesës së kualitetit. Sidomos goli i parë na preu këmbët, reagimi më pas ishte shumë i vështirë”, ishin fjalët e trajnerit Kostiç.