Fitorja ndaj Maqedonisë u nda në dy etapa. Dje takimi u mbyll në minutën e 75, ndërsa shifrat ishin të barabarta 1-1, por që Shqipërisë dhe lojtarëve kuqezi iu duhej që të mbyllnin ndeshjen me fitore pas rezultateve të Spanjës dhe Italisë, të cilat triumfuan në sfidat e tyre.
Të ndjerë në një presion të shumëfishtë, kuqezinjtë e kryesuar nga italiani De Biasi nuk e kanë kaluar lehtësisht natën e mbrëmshme. Në veçanti trajneri, i cili tregon për “UEFA.com” sesi i përjetoi orët që pas ndërprerjes së ndeshjes.
“Mund të themi se Maqedoninë e kemi mundur për 15 minuta, por në realitet ka qenë e vështirë. Nuk duhet që ta mbivlerësonim këtë skuadër. Dje kemi luajtur mjaft mirë, por ishim të ngadaltë në lojë. Nuk kam fjetur gjatë gjithë natës, sepse kam parë të gjitha pamjet e ndeshjes së mbrëmshme duke gjetur sesi duhet të luaja sot”.
“Ndeshja ishte e çuditshme, sepse nuk ishte e lehtë që të luaje 15 minuta me intensitet. Kishim përballë një kundërshtar mjaft të rrezikshëm. Por e kaluam me nder dhe tashmë jemi në vendet e para me Spanjën dhe Italinë”.