Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV), në përfundim të fazës së parë të Kampionatit Kombëtar, në të gjitha kategoritë: Të rritur, të rritura, të rinj dhe të reja, organizoi seminarin tekniko-arbitral me të gjithë aktorët e këtij sporti, trajnerë e gjyqtarë. Ky seminar, që u zhvillua përgjatë gjithë ditës së diel, u organizua në mjediset e Tirana Olimpik Park në kryeqytet me një pjesëmarrje masive. Mori pjesë edhe zv.presidenti i FSHV-së, z.Dashamir Brari, që në fjalën e tij shprehu rëndësinë e këtij seminari, për mesazhin që ai përcjell te gjyqtarët e trajnerët me ndryshimet në lojën e volejbollit, duke u fokusuar te përhapja e këtyre risive edhe në volejbollin tonë.
Seminari kishte disa qëllime të rëndësishme për FSHV-në. Njëri prej tyre ishte prezantimi i procedurës së lojës me dy pasues tek ekipet e moshave, seminar që u krye me gjyqtarët dhe trajnerët e ekipeve të moshave të cilët ishin të pranishëm. Sekretari i përgjithshëm i FSHV-së, z.Albens Vokopola, prezantoi këtë ndryshim në rregulloren e lojës, duke dhënë informacionin e nevojshëm për këtë risi që do të zbatohet në kampionatet e moshave për këtë sezon sportiv. Ky rregull do të mundësojë që të rritet numri i pasuesve (organizatorëve) e për rrjedhojë të rritet edhe niveli i tyre.
Më pas, fokusi i këtij seminari u përqendrua te gjyqtarët, ku u trajtuan tema të ndryshme që kanë lidhje me rritjen profesionale të gjyqtarëve tanë. Këto tema prekën cështje të rëndësishme në lidhje me përgatitjen, menaxhimin e ndeshjes, komunikimin mes gjyqtarëve gjatë ndeshjes, masat ndëshkuese konform rregullores etj. Këto tema u trajtuan nga gjyqtarët ndërkombëtare Igli Fështi, Konalsi Gjoka dhe Endri Zguri.
Më tej, ky seminar me gjyqtarët vijoi me një trajnim të detajuar në lidhje me mbajtjen e protokollit manual dhe elektronik gjatë ndeshjes, detyrat e sekretarit etj. Në fund, të gjithë gjyqtarët iu nënshtruan një testi teorik në lidhje me njohuritë e fituara. Nuk mungoi edhe një trajnim i veçantë me një grup gjyqtarësh të rinj, që i janë afruar së fundi kolegjiumit dhe që bashkëpunojnë me FSHV-në në evente të ndryshme. /fshv.org.al/