Humbja 3-1 e Vllaznisë në transfertën boshnjake me Siroki Brijeg nuk do të kalojë lehtë në Shkodër. Drejtuesit janë duke mbledhur provat që konsistojnë në pamje filmike, për të paditur në UEFA arbitrin rus, Aleksei Matjunin.
Shkodranët kanë nxjerrë protokollin e ndeshjes, duke treguar se sfida mund të jetë për rekord Guinnes, pasi në 11 faulla të shkodranëve janë dhënë 12 kartona të verdhë. Penalltitë kundër janë kontenstuar nga stafi i Vllaznisë, që janë duke përpiluar dosjen që do nisin për ankimin në UEFA.
Ndeshja ndaj Siroki Brijeg u kontenstua nga Vllaznia, që protestoi për dy rastet e penalltisë, teksa u ndëshkuan edhe me dy kartona të kuq. Tanimë do mbetet të shihet sesi do rrjedhin gjërat, me kuqeblutë që përpara ndeshjes së kthimit në “Loro Boriçi”, do kenë dërguar në UEFA ankimin ndaj arbitrimit, që siç e cilësuan ata ishte tendencioz qysh prej minutës së parë.