Vllaznia ia doli të mbijetojë në Kategorinë Superiore, aty ku në finalen me Besëlidhjen tregoi lojë të mirë duke mbyllur një sezon të stërgjatë. Menjëherë pas ndeshjes, sponsori I ri I kuqebluve, Alban Xhaferi ka bërë me dije se do të rinisë punë për të kthyer “Vllazninë e Madhe”. Një nga hapat që kjo të ndodhë është edhe prezantimi I stafit.
Ashtu siç komunikoi Xhaferi, Vllaznia do të ketë një drejtor sportive të huaj. Bëhet fjalë për Matko Djarmatin, ish-futbollistin e disa klubeve shqiptare. Kroaci që prej vitesh jeton në vendin tonë pritet të zyrtarizohet shumë shpejt nga kuqeblutë, ndërsa nuk ka humbur kohë dhe ka zbritur në fushë. Siç duket nga foto e siguruar nga kolegu Denis Bajraktari, Djarmati ka takuar stafin dhe lojtarët, gjë që ka ndodhur ditë më parë.