Trajneri i Vllaznisë Hasan Lika e shpalli rrugëtimin e shkodranëve në këtë pjesë të parë të sezonit si dinjitoze. Pas fitores me Veleccikun në fushën e këtyre të fundit, ai deklaroi për mediat se në pjesën tjetër të sezonit, Vllaznia do të përforcohet dhe do të jetë më solide.
“Ecuria pozitive, që nga fillimi i shutit e deri më tani i bëjmë një mbyllje dinjtoze. Mendoj se duhet që të bëjmë përforcimesh sepse na duhet. Kemi si synim Superioren dhe mendoj se do të jemi më të fortë. Jam deri diku i kënaqur me lojën e skuadrës për sfidën e sotme.
Meritë ka edhe kundërshtari që na rrezikoi, por edhe portieri jonë dha më të mirën. Eliminoi barazimin në momente të caktuara. Duhet që të vijonim me ritmin e pjesës së parë, gjithsesi ne e mbyllëm pozitivisht me 3 pikët dhe në krye. Ne e vlerësuam në maksimum Veleçikun, një ekip cilësor që edhe sot tregoi dëshirë për të mos dalë pa pikë sepse na e bëri të vështirë në të dyja ndeshjet fitoren.
Ndalet Erzeni, shkojmë me shtatë pikë para. Normalisht që është pozitive, ne nuk duhet që të shohim pikët, por kundërshtarin se me kë luajmë. E rëndësishme është që me punën e të gjithëve, në pjesën e dytë të garës do të shihni në fushë një skuadër më solide”, përfundoi Lika.
Vllaznia e përfundoi vitin 2018 si kampione e dimrit në grupin A të Kategorisë së Parë me 35 pas 14 javësh, 7 më shumë se Erzeni i vendit të dytë.