Kreshnik Cjapi do të vendosë drejtësi sot në ndeshjen e Partizanit kundër Bylisit. Arbitri i kolegjiumit të Fierit është caktuar për të qenë kryesor sot në sfidën e të kuqve kundër mallakastriotëve që do të zhvillohet në orën 16:00. Ai do të asistohet nga Denis Rexha dhe Rudin Preça. Ndërkohë i katërt do të jetë Kridens Meta.
Cjapi është një emër i njohur në kampionatin shqiptar, ku ka qenë protagonist vite më parë në ndeshjen Vllaznia – Partizani. Para katër vitesh të kuqtë triumfonin me rezultatin 1-2, por protestat e vendasve ishin të shumta për vendimet e dyshimta të Cjapit. Madje asokohe klubi shkodran i kërkoi Federatës Shqiptare të Futbollit përmes një letre zyrtare, përjashtimin e arbitrit në fjalë.